Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, e ka kritikuar klasën politike në vend për arrestimet që ndodhën sot nga ana e Gjykatës Speciale, meqë siç u shpreh, politikanët tanë nuk e kishin marr seriozisht këtë gjykatë.
Në “Edicioni Special” në Klan Kosova, ai mes tjerash deklaroi se ushtarët e vërtetë të UÇK-së sërish u bënë tabelë qitëse.
“Është e dhimbshme që kjo ndodh 20 vite pas çlirimit, që shohim forca nëpër organizata të veteranëve, por krejt fajin e kësaj e ka klasa politike e shtetit të Kosovës që e kanë krijuar një shtet mish-mash, që e kanë shndërruar në pronë të tyre private dhe nuk ka njeri që i bie në fije se çfarë shteti është sot shteti i Kosovës”.
“I kam thënë Nasim Haradinajt në një studio televizive që do të arrestohesh për arsye se jam nisur nga arrestimi im. Në vitin 2014 për shkak të një hulumtimi që e kisha bërë për një korrupsion brenda EULEX-it, kisha ardhur në fakte se kryeprokurori Salustro i kishte joshur dëshmitarët me para e azil, duke i thënë ‘sa para po i do për të dëshmuar rrejshëm’”.
“Në atë kohë unë u arrestova me 80 forca speciale me maska, të cilët më hynë në zyre. Për shkak të frikës që e kishte përjetuar, më kishte abortuar edhe gruaja ime kur kanë hyrë forcat speciale ashtu. Nuk ka pasur asnjë reagim nga Taçi, Veseli, Limaj, Haradinaj, Mustafa, sepse në atë kohë u dukej që Gjykata Speciale është hajgare, kanë manipuluar me opinion dhe ja ku është rezultati”.
“Klasës tonë politike i konvenojnë viktimat. Kur qytetari i Kosovës ballafaqohet me varfëri ekstreme dhe këtu viktimat më të mëdha janë veteranët”.
“Tabelë qitëse u bënë prapë luftëtarët e vërtetë të UÇK-së. Pse nuk prononcohet kryeministri rreth pyetjes se a i ka kaluar apo jo mandati i Gjykatës Speciale? Nëse i ka kaluar, me çfarë të drejte futen në zyrat e Organizatë të OVL dhe arrestojnë”.
“Gjykata Kushtetuese e humb mandatin e vet në Kosovë vetëm me ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës. Dhe për t’u ndryshuar kushtetuta duhet të votojnë 2/3 e deputetëve serbë dhe këtë e dinë politikanët tanë por nuk kanë guximin t’ua thonë veteranëve të UÇK-së”.
“Me date 27 te këtij muaji do të shkojë për intervisitim Agim Çeku, muajin e ardhshëm do të shkojë deputeti Haxhi Shala, por ka segmente edhe brenda Gjykatës Speciale dhe shqiptarëve këtu nëpër kafe që qëllimisht janë duke i dezinformuar edhe mediat me qëllime të caktuara”.
3 thoughts on “Zeka : Krejt fajin e ka klasa politike që e ka krijuar një shtet mish-mash e bile ndashi me dit nuk bohet shteti kshtu”