Kreu i AAK, Ramush Haradinaj deklaroi në Çim Peka LIVE se ka mbetur i irrituar me aksionin e kryer nga EULEX me bastisjet e banesave dhe selive të partive në Prishtinë.
“Kosova ka policët vetë, nuk ka nevojë për çizmen e huaj. Ndërhyrja e të huajve ishte turp,” tha ai.
I pyetur nëse gjatë kësaj kohe, kur dihej se do të kishte zhvillime nga Gjykata Speciale, ishte arritur një marrëveshje politike mes partive, Haradinaj tha se nuk kishte kohë.
Haradinaj tha se oferta e tij për të marrë postin e presidentit qëndron për kolegët politikë. Ai paralajmëroi se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
“Ka pasë zhvillime dhe përafrimë në momente të caktuara. Por përafrimi ishte më i ngagalshëm se koha që kishim në dispozicion.
Dje do të vinin në shtëpinë time kryetarët e partive pasi u hetua se do të kishte zhvillime. Por takimi nuk ndodhi pasi u konfirmua akt-akuza për Kadri Veselin.
Ajo që mund të them është se jam i hapur të bashkëpunoj edhe me VV, me PDK, me LDK, me Nismën, për interesin kombëtar.
Unë jam ofruar si president nëse ka vlerësim. Nëse nuk vjen ky vlerësim, zgjedhjet janë zgjidhje,” tha ai.
Haradinaj tha se AAK po përgatitet për zgjedhje.
“Ne po punojmë për zgjedhjet. Në zgjedhje do të shkojmë të vetëm. Nëse ka vullnet për t’i dhënë një president vendit, ne kemi ofruar një kandidaturë,” tha Haradinaj.