Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje nuk i ka certifikuar listën e Lëvizjes Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, kjo pasi këto parti në listat e tyre kanë persona me vepra penale që Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të mos i lejon të kandidojë për deputetë, shkruan Gazeta Metro.
Mirëpo, këtë mos certifikim nga KQZ’ja, partitë po e shohin si mundësi tjetër që ato të certifikohen nga Gjykata Supreme ose nga PZAP, organ ky që funksionon brenda KQZ’së.
Njëjtë po mendon edhe ih-deputeti Visar Ymeri, i cili po thotë se Gjykata Supreme do të urdhërojë certifikimin e kandidatëve të LVV-së, AAK-së dhe Nismës që nuk kanë pasur problem me ligjin, duke i lënë jashtë listës kandidatët që kanë pasur dënime.
Ymeri në “Debat Plus” ka thënë se mos certifikimi i disa listave zgjedhore nga KQZ do të shkojë në Gjykatën Supreme.
“Gjykata Supreme mund të thotë se duke u bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese këta persona nga këto lista nuk mund të certifikohen ndërsa pjesa tjetër e listës është në rregull dhe certifikohet me apo pa zëvendësim [të personave të pa certifikuar]”.
Ai thotë se nuk është e drejtë t’iu ndalohet certifikimi qindra personave pse disa në ato lista kanë dënime.
“Nuk mundesh me ua ndalua LVV-së, AAK-së apo Nismës të garojnë në zgjedhje vetëm pse i kanë disa persona të dënuar. Ne po flasim për certifikim të kandidatëve dhe kandidaturat janë individuale. Nuk është në rregull nëse zoti Kurti s’mundet mu certifiku, të mos certifikohen edhe 100 kandidatë tjerë”, tha Ymeri.