




Mediat serbe po i kushtojnë hapësirë kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke potencuar se autoritetet në Prishtinë janë të bindura se shanset e tyre për t’iu bashkuar kësaj organizate ndërkombëtare janë të mëdha.
Sipas gazetës serbe “Nova” optimizmi i autoriteteve të Prishtinës më së shumti bazohet në faktin se dy të tretat e anëtarëve të Këshillit të Evropës e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës, prandaj presin që vendet e përmendura t’i mbështesin kur anëtarësimi i tyre të jetë në agjendë.
Aplikimi i Kosovës në Këshill të Evropës ka nxitur reagime të ashpra në Serbi, ku zyrtarët e atjeshëm janë zotuar se do të punojnë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga shtete të ndryshme në botë. Por, drejtori i Qendrës për Rajonalizëm, Aleksandar Popov, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është shumë realist.





“Është një organizatë që funksionon në mënyrë të pavarur dhe nuk është pjesë e Bashkimit Evropian. Aty vendoset në bazë të shumicës se kush do të jetë anëtari i ardhshëm dhe është realiste që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës”, thekson ai.
I pyetur nëse refuzimi i Serbisë për t’iu bashkuar pjesës tjetër të Bashkimit Evropian në dënimins rezultoi me presione, pas të cilave erdhi iniciativa nga Prishtina [për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës] Popov u përgjigj pozitivisht, duke theksuar se është e pamundur të jesh politikisht neutral në rrethana të tilla ndërkombëtare.
“Askush nuk na detyron të hyjmë në paktin e NATO-s, por nëse duam të anëtarësohemi në BE, atëherë duhet të rregullojmë politikën tonë të jashtme. Nga Serbia kërkohet të deklarohet nëse është pro , nëse nuk është, ajo në një farë mënyre nuk do të jetë nën presion, por do të jetë e harruar nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara”, tha Popov.





Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj.
Ndërsa, autoriteteve kosovare, shteti ynë i ka të sigurta 2/3 e votave për anëtarësim në këtë organizatë.
Kosova ka marrë mbështetjen e dy shteteve të fuqishme, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Aplikacionin për anëtarësim e shqyrton Komiteti i Ministrave evropianë dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e shumicës prej dy të tretave.